Faqja kryesore
  Arkiva e lajmeve
  Historia e Veprimit
  ndaj minave
  Struktura kombëtare
  Strategjia kombëtare
  Komponentët
  e Veprimit ndaj minave
  Donatorët
  Botimet
  Albumi fotografik
  Lidhje me faqet e tjera
  Kontakti
 
  English
Arkiva e lajmeve 10 | 9 | 8 | 7 | 6 | 5 | 4 | 3 | 2 | 1  
       
 
AMAE oranizoi një takim në kuadër të Takimit të 10-të të Shteteve Palë të Konventës për Ndalimin e Minave Kundër Personit
3 dhjetor, 2010

Gjatë Takimit të 10-të të Shteteve Palë të Konventës për Ndalimin e Minave Kundër Personit, AMAE në bashkëpunim me UNDP/BCPR dhe GICHD shfrytëzuan mundësinë për të organizuar një takim me temën: Tranzicioni i kapaciteteve të veprimit ndaj minave drejt shkatërrimit të stoqeve me municione, municioneve të paplasura të luftës dhe ato të braktisura. Qëllimi i eventit ishte të analizonte përdorimin dhe tranzicionin potencial të kapaciteteve egzistuese të veprimit ndaj minave pas përfundimit të operacioneve të çminimit. Kapacitetet monitoruese dhe koordinuese të AMAE-s për menaxhimin e cilësisë së operacioneve të pastrimit, edukimin mbi rrezikun ndaj minave, asistencës ndaj të aksidentuarve nga minat dhe sistemin e informacionit (IMSMA) mund të përdoren në fusha të tjera relevante siç është shkatërrimi i stoqeve të municioneve dhe pastrami i hotspoteve.

Përfitimet nga përdorimi i kapaciteteve egzistuese janë theksuar edhe gjatë Samitit të Kartagjenës, si dhe në paragrafin 97 të “Përmbledhjes së Kartagjenës”  ku thuhet: “Shtetet Palë kanë  vënë re se mësimet e nxjerra nga proçeset e përmbushjes së detyrimeve të Nenit 5 të Konventës janë të aplikueshme në adresimin e sfidave të tjera të ngjashme në lidhje me mbetjet eksplozive të luftës”. Në shumë raste, strukturat organizative, kapacitetet të cilat janë ndërtuar dhe standardet të cilat janë adaptuar kryesisht si rrezultat i nevojave për të zbatuar Nenin 5 janë gjithashtu duke u zbatuar për të adresuar kontaminimin e armëve në një kuadër më të gjerë.   

Gjatë aktivitetit u mbajtën disa prezantime, ndër të tjera: Drejtori i AMAE-s prezantoi aktivitetet e Veprimit ndaj Minave dhe tranzicionin e mundshëm në pastrimin e hotspot-eve dhe programin e asgjesimit të stoqeve të municioneve në Shqipëri.  Z. Reuben McCarthy, specialist në sektorin e Parandalimit të Konflikteve dhe Rimëkëmbjes të UNDP/BCPR bëri një prezantim shumë të rëndësishëm mbi rolin e PNUD gjatë proçesit të tranzicionit të AMAE-s. Një tjetër prezantim me temën “Udhëzimet Teknike Ndërkombëtare të Municioneve” u mbajt nga Daniël Prins, Shef i Armëve Konvencionale të Zyrës së Kombeve të Bashkuara mbi Çështjet e Çarmatimit. Prezantimi me temën “Përqasja e Rajonin drejt Reduktimit të Stoqeve” (RASR) u bë nga Znj. Jasna Lazarevic, (SAS). 

Prezantimet gjatë këtij aktiviteti u ndoqën nga diskutime midis pjesëmarrësve dhe panelit të folësve dhe u morën vlerësime pozitive nga partnerë të ndryshëm duke përfshirë përfaqësues nga vendet donatore.

 
 
 
Shqipëria merr presidencën e radhës të Konventës së Otavës “Për ndalimin e Përdorimit, Magazinimit, Prodhimit, Transferimit dhe Shkatërrimit të Minave Kundër-Personel”
3 dhjetor, 2010

Në datë 29 nëntor filloi punimet në Gjenevë Takimi i 10-të i Shteteve Palë të Konventës së Otavës “Për ndalimin e Përdorimit, Magazinimit, Prodhimit, Transferimit dhe Shkatërrimit të Minave Kundër-Personit”, i cili shënon dhe takimin e parë të Shteteve Palë pas Konferencës së Dytë të Rishikimit të Kartagjenës. Në këtë takim, përfaqësuesit e Shteteve Palë i kaluan Shqipërisë presidencën e radhës së kësaj Konvente për një periudhë një vjeçare dhe emëruan z. Gazmend Turdiu, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, si President të Punimeve të kësaj Konvente deri në nëntor të 2011.

Delegacioni Shqiptar në këtë takim kryesohej nga Z. Selim Belortaja, Zëvendës Ministër i Jashtëm, Z. Arian Starova, Zv Ministër i Mbrojtjes dhe Kryetar i AMAC, Z. Sajmir Repishti, Shef i Seksionit të Marrëdhënieve me Kombet e Bashkuara në Ministrinë e Jashtme, Z. Arben Braha, Drejtor i AMAE-s dhe Z. Veri Dogjani, Koordinator i AMAE-s për Asistencën për të Aksidentuarit nga Minat. Anëtarët e Delegacionit ndoqën sesionet përkatëse dhe morën pjesë në diskutime të ndryshme. Gjatë ceremonisë së hapjes, Z. Belortaja ishte një nga folësit që mbajtën fjalime përshëndetëse. Në fjalën e tij Z. Belortaja theksoi angazhimin e Shqipërisë si vendi me Presidencën e rradhës së Konventës.

Gjatë periudhës 1 vjeçare të Presidencës shqiptare pritet të zhvillohen një sërë aktivitetesh të rëndësishme si: takimet e Komitetit Koordinues të Shteteve Palë të Konventës; promovimi i universalizimit të Konventës; organizimi i disa aktiviteteve rajonale, midis të cilëve edhe një i tillë në Shqipëri lidhur me asistencën ndaj të mbijetuarve nga minat; si dhe drejtimi i mbledhjeve të ndërmjetme të Konventës deri në Takimin e 11-të të Shteteve Palë, që do të zhvillohet në Kamboxhia në nëntor 2011.

Takimi i 10-të pritet të vlerësojë arritjet e shteteve palë në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Konventa drejt arritjes së qëllimit final të saj “Për një botë pa mina”. Ky takim do të trajtojë dhe do të marrë vendimet përkatëse për çështje të rëndësishme të Konventës, si raportimi për shkatërrimin e stoqeve të minave kundër-personit, për pastrimin e fushave të minuara, për mbështetjen ndaj të mbijetuarve, forcimin e asistencës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për arritjen e këtyre objektivave, si dhe vlerësimin e punës së Njësisë Mbështetëse të Zbatimit të Konventës.

Konventa për Ndalimin e Përdorimit, Magazinimit, Prodhimit dhe Transferimit të Minave Kundër-Personit dhe Shkatërrimin e tyre, e vitit 1997, u adoptua në Oslo dhe u hap për nënshkrim në Otavë. Ajo ka 156 shtete palë, të cilat e kanë nënshkruar dhe ratifikuar Konventën.

 
 
 
Konferenca e Parë e Shteteve Palë të Konventës për Municionet Thërrmuese
 

Një delegacion i Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga Zv. Ministri i Mbrojtjes dhe Kryetari i Komitetit Shqiptar të Veprimit ndaj Minave (AMAC), z. Arian Starova, në cilësinë e Kryetarit të Delagacionit, përfaqësues nga Ministria e Jashtme dhe nga Qendra Shqiptare e Veprimit ndaj Minave (AMAE), mori pjesë në Konferencën e Parë të Shteteve Palë të Konventës mbi Municionet Thërrmuese, që zhvilloi punimet në Vientiane, Laos, nga data 9 deri më 12 nëntor 2010.

Konventa mbi Ndalimin e Municioneve Thërrmuese ndalon përdorimin, transferimin dhe grumbullimin e municioneve thërrmuese që shkaktojnë dëme të papranueshme tëk civilët. Detyrime të tjera të parashikuara në konventë janë pastrimi  i zonave të ndotura me municione thërrmuese, ndërgjegjësimi i popullësisë mbi rrezikun e tyre dhe asgjesimi. Shqiperia firmosi konventën e Municioneve Thërrmuese në 3 dhjetor, 2008 në Oslo të Norvegjisë dhe dorëzoi Instrumentin e Ratifikimit pranë Kombeve të Bashkuara në Neë Jork në 16 Qershor, 2009. 

Z. Starova gjatë fjalës së tij theksoi se “Shqipëria kurrë nuk ka prodhuar, magazinuar, tregtuar apo përdorur municionet thërrmuese. Këto municione në territorin e Shqipërisë janë rezultat i konfliktit në Kosovë në vitin 1999”, duke shtuar se “Shqipëria është një prej 10 shteteve të para të cilat kanë ratifikuar këtë Konventë kaq të rëndësishme për eliminimin e këtyre municioneve që mund të shkaktojnë dëmtime të rënda në komunitetet të cilat jetojnë pranë zonave të kontaminuara. Qevria Shqiptare ishe ndër qeveritë e para nënshkruese të konventës jo thjesht për të shprehur solidaritet ndërkombëtar. Ajo ishte e ndërgjegjshme për efektet shkatërruese të municioneve thërrmuese tek siguria dhe jetët e njërëzve. Si rezultat, Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me vendet donatore, 10 muaj para hyrjes në fuqi të Konventës ka plotësuar obligimin e saj duke pastruar të gjitha municionet thërrmuese në zonat veri-lindore të vendit, pranë kufirit me Kosovën”.

Zv. ministri i Mbrojtjes Starova u ndal në punën e bërë nga autoritetet shqiptare në drejtim të edukimit për zvogëlimin e rrezikut të popullsisë pranë zonave të kontaminuara me municione thërrmuese si dhe me zgjerimin e kujdesit për viktimat e municioneve thërrmuese në të gjithë vendin. Në fund të fjalës së tij, z. Starova u bëri thirrje të gjitha vendeve që akoma nuk e kanë nënshkruar Konventën, t’i bashkohen sa më shpejt asaj për të forcuar paqen dhe sigurinë në botë dhe për të kontribuar në rritjen e mirëqenies së popullsisë së saj.

 
 
 
Seminari Kombëtar për Asistencën  ndaj të aksidentuarve nga minat dhe municionet e paplasura, në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga Plani i Veprimit të Kartagjenës në Shqipëri
3-4 Nëntor, 2010

Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare të Veprimit ndaj Minave (AMAE) organizuan Seminarin Kombëtar me temë “Asistenca për të aksidentuarit nga minat/municionet e paplasura, në përmbushje të detyrimeve të Shqipërisë sipas Planit të Veprimit të Kartagjenës”. Ky seminar u realizua me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian nëpërmjet Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (PNUD) dhe Departamentit Amerikan të Shtetit nëpërmjet Fondit Ndërkombëtar të Besimit në Slloveni (ITF) në kuadër të Programit Shqiptar të Veprimit ndaj Minave.

Qëllimi kryesor i këtij seminari ishte analizimi i punës së bërë deri tani në fushën e asistencës ndaj të aksidentuarve nga minat/municionet e paplasura si dhe hartimi i një plani kombëtar afatgjatë në përputhje me Planin e Kartagjenës i hartuar në Konferencën e Dytë të Rishikimit të Traktatit të Otavës, mbi Ndalimin e Minave Kundër Personit. Ky plan afatgjatë përfshin asistencën mjekësore (urgjencat mjekësore, shërbimin parësor dhe spitalor dhe rehabilitimin fizik),si dhe  përmirësimin e situatës social-ekonomike për të aksidentuarit nga minat dhe municionet dhe familjet tyre.
Në seminar ishin të pranishëm përfaqësues të  të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Gjithashtu në këtë seminar morën pjesë të aksidentuar nga minat/municionet e paplasura, përfaqësues të institucioneve shëndetësore në nivel kombëtar dhe lokal, përfaqësues të vendeve donatore dhe organizata joqeveritare lokale dhe ndërkombëtare të cilat kanë kontribuar në asistencën ndaj të aksidentuarve nga minat/municionet e paplasura në Shqipëri.

Në fjalën e tij të hapjes, Z. Arian Starova, Zv. Minister i Mbrojtjes/Kryetar i Komitetit Shqiptar të Veprimit ndaj Minave (AMAC), ndër të tjera u shpreh se “Krahas punës për çminimin e zonave në verilindje të vendit, filloi një përpjekje tjetër me rëndësi ndoshta edhe më të madhe, për përkujdesjen dhe mbështetjen e të mbijetuarve të aksidenteve me mina dhe municione të paplasura. Me pas Z. Starova  theksoi “Qendra Shqiptare e Veprimit ndaj Minave(AMAE) në bashkëpunim me institucionet shëndetësore dhe me mbështetje ndërkombëtare, filluan një punë të palodhëshme për të krijuar e zbatuar projekte të ndryshëm në ndihmë të të mbijetuarve, duke ju siguruar atyre ndihmën mjekësore të nevojshme për ripërtëritjen e tyre fizike, psikologjike dhe ekonomike”.

Z. Albert Gajo, Zv. Ministër i Shëndetësisë, në fjalën e tij  shprehu mirënjohjen dhe falenderimin për organizimin e këtij seminari duke theksuar se “Në vëmendje të veçantë të Ministrisë së Shëndetësisë në zonat e banuara nga personat e dëmtuar nga minat e municionet ka qenë ngritja, forcimi dhe shtrirja e sistemit të urgjencave mjekësore, shërbimit parësor dhe j spitalor, me përparësi në zonat me numer të lartë të të dëmtuarëve me mina dhe municione të paplasura”.

Z. Izet Ademi, i aksidentuarit nga minat, ndau momentet dramatike të aksidentit me të pranishmit si dhe i beri apel qeverisë të ndihmojë personat me aftësi të kufizuar, përfshirë të aksidentuarit me mina dhe municione. Ndër të tjera ai theksoi: “Jemi me fat që nuk do të kemi më viktima nga minat, por nevojat e të mbijetuarve si unë,  mbështetja dhe përkrahja duhet të vazhdojë të na shoqërojnë gjatë gjithë jetës.. Prandaj gjej rastin t’i bëj thirrje Qeverisë që të mbështesin në mënyrë të qëndrueshme të mbijetuarit, në mënyrë që të integrohemi me dinjitet në shoqëri. Ky seminar është një mundësi për të gjithë ne, për të rishikuar punën tonë të bërë deri tani dhe për të caktuar objektivat për të ardhmen.

Pas seancës plenare të pranishmit u ndanë në grupe pune, gjatë të cilave ata diskutuan mbi nevojat e urgjencave mjekësore, shërbimit parësor dhe spitalor, rehabilitimi fizik si dhe mbi dhënien e ndihmës psikologjike dhe  integrimin social ekonomik. Gjithashtu grupet e punës diskutuan edhe për; mbledhjen e të dhënave e ligjshmërinë dhe iniciativat në fushën e aftësisë së kufizuar.
Seminari vashdoi ditën e dytë me konkluzionet e punës në grupe dhe përcaktimin e objektivave dhe aktiviteteve për të përmirësuar situatën social ekonomike të të aksidentuarve dhe familjarëve të tyre, si dhe asistencen mjeëksore në varësi të nevojave të personave të aksidentuar nga minat e municionet dhe të personave të tjerë me aftësi të kufizuar. Në bazë të këtyre konkluzioneve do të hartohet një plan veprimi afatgjatë për asistencën e të aksidentuarve nga minat e municionet e paplasura të braktisura, i cili do të jetë në harmoni me planet ekzistuese kombëtare.

 
 
 
Hyrja ne fuqi e Konventës mbi Ndalimin e Municionet Thërrmuese
Tiranë, 1 Gusht, 2010

Shqipëria mirëpret hyrjen të fuqi të Konventës për Ndalimin e Municioneve Thërrmuese. Nga kjo ditë, municionet thërrmuese ndalohen përgjithmonë duke shënuar kështu një ndryshim të madh në jetën e  njerëzve në të gjithë botën.

Me këtë rast, shoqata Alb-AID organizoi një marshim në bulevardin kryesor të Tiranës duke i rënë daulleve dhe duke festuar. Aktivistë, të mbijetuar nga municionet thërrmuese dhe zyrtarë morën pjesë në marshim. Festimet në Tiranë u organizuan në kuadër të një inisiative globale për të shënuar këtë ditë të rëndësishme.

AMAE ka qenë pjesë e “Proçesit të Oslos” qysh prej fillimit dhe mori pjesë në konferencat përgatitore ndërkombëtare në Lima, Vienë, Uellington si dhe në negociatat finale në Dublin e Oslo. Gjithashtu AMAE ka marre pjese edhe ne konferencat Rajonal te kesaj konvente.

Republika e Shqipërisë firmosi Konventën për Ndalimin e Municioneve Thërrmuese në Oslo, në Dhjetor 2008. Në 16 Qershor 2009, vendi yne depozitoi instrumentin e ratifikimit të Konventës për Ndalimin e Municioneve Thërrmuese pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombëve të Bashkuara në New York duke u bërë vendi i nëntë që e ratifikoi atë.  Ne nivel global deri ne 1 Gusht 2010, konventa per municionet therrmuese eshte firmosur deri me sot nga 108 shtete dhe ratifikuar nga 38 prej tyre.

Municionet thërrmuese të identifikuara në Shqipëri janë rezultat i konfliktit në Kosovë në vitin 1999. Zonat e kontaminuara gjendeshin kryesisht në verilindje të Shqipërisë ku një sipërfaqe prej 2.1 milion m² u identifikua e kontaminuar me municione thërrmuese. U kontaminuan të paktën 13 fshatra me këto municione në Kukës, Has dhe Tropojë. 9 persona kanë humbur jetën dhe 44 të tjerë  janë plagosur nga shpërthimi i municioneve thërrmuese. 

Shqiperia ka deklaruar se është e pastër nga këto municione thërrmuese në Dhjetor 2009. Prej vitit 2000 deri në Nëntor 2009, kohë e cila shënoi përfundimin e operacioneve, u identifikuan dhe u shkatërruan 4,965 municione thërmuese dhe toka e pastruar iu dorëzua komunitetit për përdorim.

 
 
 
Ambasadori Withers viziton Spitalin Rajonal të Kukësit
23 Korrik, 2010

Ambasadori Amerikan në Tiranë, John L. Withers vizitoi Spitalin Rajonal të Kukësit për të parë nga afer pajisjet e Repartit të Fizioterapise dhe Repartit të Protezimit të ngritura nëprmjet Programit Shqiptar të Veprimit ndaj Minave me fonde të siguruara nga Departamenti Amerikan i Shtetit përmes Fondit Ndërkombëtar të Besimit, (ITF) në Sloveni.

Kjo vizitë e nivelit të lartë filloi me një prezantim mbi kapacitetet e spitalit me vëmendje të veçantë në mbështetjen për asistencën ndaj të aksidentuarve nga minat të siguruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit përmes Fondit Ndërkombëtar të Besimit, Slloveni (ITF).
Gjatë vizitës në Spitalin e Kukësit, Ambasadori Withers pati mundësinë të vizitonte kapacitetet e zhvilluara në Kukës në Repartin e Protezimit, në Repartin e Fizioterapisë si dhe pajisjet e radiologjisë të siguruara me fonde nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Koordinatori i AMAE-s për Asistencës për të Aksidentuarit nga Minat/UXO dhe Edukimit mbi Reezikun) prezantoi zhvillimet e bëra në këtë spital sidomos në asistencën ndaj të aksidentuarve nga minat/UXO përmes AMAP. Koordinatori i Asistencës për të aksidentuarit nga minat gjatë prezantimit të tij theksoi se kapacitetet e rehabilitimit të vendosura në spital janë të vetmet në vend. Megjithëse kapacitetet janë siguruar nga Programi Shqiptar i Veprimit ndaj Minave për ti shërbyer të aksidentuarve nga minat, ato u janë venë në ndihmë edhe personave të tjerë me aftësi të kufizuar në Kukës dhe më gjerë.

Zëvendës Drejtori i Spitalit të Kukësit së bashku me përfaqësues të Qendres Shqipatre të Veprimit ndaj Minave shprehën mirënjohjen e thellë ndaj kontributin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Programin Shqiptar të Veprimit ndaj Minave dhe në përgjithësi për ndihmën bujare të dhënë për Spitalin e Kukësit.

 
 
 
Dita e Promovimit te Kontributit te Bashkimit Evropian per Veprimin ndaj Minave ne Shqiperi.
8 Korrik, 2010

Delegacioni i Bashkimit Evropian në bashkëpunim me zyrën e PNUD në Shqipëri, mbështetur nga Qendra Shqiptare e Veprimit kundër Minave (AMAE) organizoi në 8 Korrik 2010 “Ditën e Promovimin të Kontributit të Bashkimit Evropian për Veprimin ndaj Minave në Shqipëri”. Qëllimi i këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm ishte të theksonte kontributin dhe ndikimin e ndihmës së Bashkimit Evropian në përmbushjen e qëllimit dhe objektivave kryesore të AMAP: përfundimin e operacioneve të çminimit, sigurimin e kujdesit dhe ndihmës për të aksidentuarit nga minat në Shqipëri dhe edukimin mbi rrezikun nga minat. Bashkimi Evropian e ka mbështetur që nga fillimi Programit Shqiptar të Veprimit kundër Minave me një ndihmë financiare prej €5.07 milionë Euro.

Të ftuar në këtë aktivitet janë përfaqësues të nivelit të lartë të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, zyrës së PNUD Shqipëri dhe përfaqësues të Qeverisë Shqiptare, si edhe partnerë dhe donatorë të Programit Shqiptar të Veprimit kundër Minave (AMAP), organizata joqeveritare implementuese lokale dhe ndërkombëtare, si dhe të aksidentuar nga minat e municionet a paplasura. 

Ambasador Helmuth Lohan, Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, i pranishëm në këtë aktivitet, ndërsa i adresohej të ftuarve, u shpreh ndër të tjera se “Sot Shqipëria është e lirë nga minat dhe unë jam i lumtur që ne jemi mbledhur këtu për të festuar këtë arritje”.  Më tej Ambasador Lohan u shpreh: “Kontributi i BE-së ka qenë pjesë e një përpjekje më të madhe nga ana e donatorëve për të ndihmuar rehabilitimin e të aksidentuarve nga minat në verilindje të Shqipërisë dhe për të ndihmuar Qeverinë Shqiptare  në përmbushjen e detyrimeve të Konventës për Ndalaimin e Minave kundër Personit.”.

Zonja Gülden Türköz-Cosslet, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD, ndërsa ishte duke folur në emër të PNUD Shqipëri, tha: Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim është krenar që është pjesë e përpjekjeve përgjatë një dekade bazuar mbi mandatin e Kombeve të Bashkuara dhe standatet ndërkombëtare”. 

Gjithashtu Z. Arian Starova, Kryetari i AMAC u shpreh se “Ka qenë puna e shkëlqyer praktike e këtyre aktorëve shqiptarë dhe mbështetja dashamirëse ndërkombëtare e cila bëri të mundur që, në nëntor të vitit 2009, ose rreth një vit përpara afatit të premtuar në përputhje me Nenin 5 të Konventës së Ndalimit të Minave kundër Personit, Shqipëria të shpallej e pastër nga minat.

Kjo ndihmë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës dhe sigurisë së banorëve në fshatrat dikur të ndotura me mina në verilindje të Shqipërisë. Gjithashtu, Bashkimi Evropian kontribuoi në përmbushjen me sukses të detyrimeve të Konventës për Ndalimin e Minave kundër Personit.

 
 
 
Takimi i 21 i Komitetit të Qendrave të Veprimit ndaj Minave të Evropës Juglindore (SEEMACC)
21 Prill, 2010

Takimi i 21 i Komitetit të Qendrave të Veprimit ndaj Minave të Evropës Juglindore (SEEMACC) u mbajt në Sarajevë, Bosnie Hercegovinë me qëllim vazhdimin e bashkepunimit në fushën e veprimit ndaj minave në Evropen Juglindore si dhe shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencave të qendrave të veprimit ndaj minave në rajon.

Të pranishëm në takim ishin përfaqësues nga organizata partnere dhe vëzhguese siç janë: ITF, Qendra Shqiptare e Veprimit ndaj Minave (AMAE), Drejtoria e Shpëtimit dhe Mbrojtjes Civile  së Republikës së Maqedonisë, BHMAC, CROMAC, MDDC,  dhe Qendra Rajonale për Çminime Nënujore. Shqipëria u prezantua nga Drejtori i AMAE, Z. Arben Braha, i cili bëri një prezantim të detajuar mbi progresin e Programit te Veprimit ndaj Minave në Shqipëri si dhe informoi koleget mbi planet e AMAP per vitin 2010 si dhe planin e tranzicionit të AMAE-s në perfshirjen e proçesit të shkatërrimit të municioneve në Shqipëri.

Gjatë takimit u zhvilluan diskutime mbi sfidat me të cilat Qendrat e Veprimit ndaj Minave në rajon përballen dhe si ti zgjidhin ato. Gjithashtu, grupe pune u kjijuan për të formulur Strategjinë e SEEMACC-ut si dhe Planin e Punës per vitin 2010.

 
 
 

Samiti i Kartagjenës për një Botë të Paster nga Minat , Kartagjenë, Kolumbi

29 Nentor - 4 Dhejtor, 2009
 
Shqipëria mori pjesë në Konferencën e Dytë të Rishikimit të Konventës mbi Ndalimin e Minave Kundër Personit, e quajtur ndryshe Samiti i Kartagjenës për një Botë të Pastër nga Minat, e cila u mbajt në 29 Nëntor deri në 4 Dhjetor 2009, në Kartagjenë, Kolumbi.

127 Shtete morën pjesë në Samitin e Kartagjenës me mbi 40 përfaqësues në nivel të lartë politik. Gjithsej mbi 1000 delegatë ishin të pranishëm në atë që quhet një nga mbledhjet më të mëdha të shteteve dhe aktivistëve të cilët janë të vendosur ti japin fund vuajtjeve të shkaktuara nga minat kundër personit. Gjithashtu, mbi 35 aktivitete u zhvilluan paralelisht gjatë Samitit.

Samiti u parapri nga një sërë aktivitetesh të fokusuara tek gratë, vajzat, djemtë dhe burrat me aftësi të kufizuar. Këto aktivitete përfshinin një garë 5 kilometra të gjatë për atletët, dhe personave me karrocë. Gjithashtu, gjatë ceremonisë së hapjes, Zëvendës Presidenti Kolumbian Z. Santos Calderon theksoi çështjet kyçe për zbatimin e Konventës për Ndalimin e Minave Kundër Personit siç janë: përdorimi i minave kundër personit nga grupet e armatosura të vendeve jo palë dhe asistenca ndaj të aksidentuarve.

Delegacioni Shqiptar në Samit u kryesua nga Zëvendës Ministri i Mbrojtjes / Kryetari i AMAC, Z. Arian Starova dhe i përbërë nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme Z. Gazmend Turdiu, Shef i Sektorit të Kombeve te Bashkuara në Ministrinë e Punëve të Jashtme Z. Saimir Repishti, si dhe përfaqësues të Qendrës Shqiptare të Veprimit ndaj Minave (AMAE): Arben Braha -Drejtori i AMAE, Veri Dogjani - Koordinatori i Asistencës për të Aksidentuarit nga Minat dhe Juliana Buzi - Specialiste e Programit të AMAE.

Delegacioni Shqiptar deklaroi në këtë samit të rëndësishëm se Shqipëria ka përfunduar pastrimin e të gjitha zonave të ndotura me mina duke zbatuar Nenin 5 të Konventës për Ndalimin e Minave Kundër Personit. Kjo deklaratë u përshëndet nga të gjithë delegatët e pranishëm. Shqipëria është një nga shtetet e para me probleme të konsiderueshme të ndotjes me mina kundër personit e cila deklaron përfundimin e operacioneve të çminimit në të gjitha zonat e ndotura me mina dhe municione të tjera thërrmuese. Pas një dekade pune dhe mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar, më shumë se 16 milion meter katrorë tokë u pastruan në verilindje të Shqipërisë, ku u identifikuan dhe u shkatërruan 12.452 mina kundër personit, 4.965 municione të paplasura dhe 152 mina anti tank.

Në kuadër të Samitit të Kartagjenës në 1 Dhjetor 2009, u mbajt një takim paralel i organizuar nga DCA, ITF dhe AMAE për të infomuar rreth progresit, sfidave dhe mësimeve të nxjerra nga programi i çminimit në Shqipëri. Në këtë takim paralel ishin të pranishëm përfaqësues të vendeve donatore dhe organizata ndërkombëtare siç janë Departamenti Amerikan i Shtetit, Gjermania, Kanadaja, Republika Çeke, UNDP, CMC, ICBL, etj, të cilët lavderuan punën e Shqipërisë drejt përmbushjes së Nenit 5 të Konventës.

Delegacioni Shqiptar në këtë Samit raportoi gjithashtu mbi progresin e bërë deri tani në sigurimin e asistencës për të aksidentuarit nga minat, rehabilitimit mjeksor dhe ri-integrimit social-ekonomik të tyre. Koordinatori i AMAE-s për Asistencën ndaj të aksidentuarve nga minat mori pjesë në Programin tre ditor Paralel të Asistencës për të Aksidentuarit nga minat të organizuar nga Njësia Mbështetëse e GICHD për Zbatimin e Konventës.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i Samitit ishte zgjedhja e Shqipërisë si vendi që do të marrë presidencën e Takimit të Dhjetë të Shteteve Palë i cili do të mbahet në Gjenevë në Nëntor 2010. Presidenti i ardhshem u zgjodh unanimisht Z. Gazmend Turdiu, Sekretar i Përgiithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Zgjedhja e Shqipërisë nga Shtetet e tjera Palë si shteti President i radhës i Konventës është një vlerësim i pjesëmarrjes aktive dhe frytëdhënëse si dhe angazhimit të Shqipërisë në nivel ndërkombëtar në kuadër të Konventës.

Gjatë takimit të Nivelit të Lartë të Samitit, Kryetarët e Delegacioneve firmosën Deklaratën e Kartagjenës si një dokument i cili konfirmon vazhdimin e angazhimit politik për një botë të pastër nga minat. Gjithashtu, Plani i Veprimit i Kartagjenës u adoptua nga komuniteti ndërkombëtar, duke finalizuar kështu një punë prej pesë ditësh të Konventës për Ndalimin e Minave Kundër Personit.

 
 
 

“Darka e Një Mijë Gostive” – Aktivitet Bamirësie në Shqipëri

4 Dhjetor, 2009
 
“Darka e Një Mijë Gostive” është një aktivitet bamirësie mbarë botëror i Veprimit ndaj Minave në ndihmë të zgjidhjes së problemit global të minave tokësore. Në 24 Nëntor 2009 Ambasada Amerikane në Shqipëri mikpriti për herë të pestë “Darkën e 1000 Gostive” në bashkëpunim me AMAE me qëllim mbledhjen e fondeve në ndihmë të reintegrimit social ekonomik të fëmijëve të dëmtuar nga minat, si edhe të personave të tjerë të aksidentuar nga minat dhe familjeve të tyre në veri-lindje të Shqipërisë. Në këtë aktivitet morën pjesë diplomatë, përfaqësues të qeverisë dhe Biznesit Shqiptar.

Fjalimi i hapjes u mbajt nga Zëvendës Ministri i Mbrojtjes, Z. Arian Starova, i cili ndër të tjera u shpreh se “Të dëmtuarit nga minat kanë qenë dhe janë në nevojë të jashtëzakonshme për t’u ndihmuar, disa prej tyre ndoshta për një kohë të gjatë. Në sajë të mbështetjes së dhënë në veprimtaritë e ngjashme të mëparshme, shumë prej tyre janë ndihmuar bujarisht bashkë me familjet duke u dhënë mundësinë të dëmtuarve që të vazhdojnë studimet, të marrin trajtimin e nevojshëm shëndetësor, ose ndihmën ekonomike të nevojshme për të pasur një jetë sa më normale”.

Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD, Znj. Gulden Turkoz-Cosslett tha se “Shumë partnerë u bashkuan për të dhënë asistencë financiare dhe teknike me qëllim që Shqipëria të ishte e pastër nga minat”. Ajo theksoi rolin kryesor të PNUD në ndërtimin e kapaciteteve për koordinimin e operacioneve të veprimit ndaj minave në terren si dhe vecanërisht mbështetjen financiare të Departamentit Amerikan të Shtetit, Gjermanisë, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Komisionit Europian në kryerjen e operacioneve të çminimit.

Fjalën më pas e mori Gazmend Geca, një i aksidentuar nga minat, i cili ndau me të pranishmit momentin tragjik të aksidentit si dhe i bëri atyre një apel për të ndihmuar të aksidentuarit e tjerë nga minat kështu që ata të mund të integrohen në shoqëri.

Ambasadori Withers, pasi shprehu mirënjohjen e tij për donacionet e bëra nga të gjithë pjesëmarrësit, tha ndër të tjera se “Është e drejta e fëmijëve të luajnë me objekte pa patur frikën se këto objekte janë municione lufte dhe është detyra jonë të mbrojmë të drejtat e tyre”

Në “Darkën e Një mijë Gostive 2009” u grumbulluan 12,245 dollarë amerikanë të cilat do të dyfishohen nga Departamenti Amerikan i Shtetit nëpërmjet Fondit Ndërkombëtar të Besimit në Slloveni. Paratë e dhuruara do të përdoren në ndihmë të reintegrimit social ekonomik të fëmijëve të dëmtuar nga minat dhe municionet e paplasura.

 
 
 

Seminari i Tiranës: Drejt një Europe Juglindore të pastër nga Minat

7-9 Tetor, 2009
 
Ministria e Punëve të Jashtme në Republikën e Shqipërisë, me mbështetjen e Bashkimit Europian, organizoi Seminarin e Tiranës për një Europë Juglindore të Pastër nga Minat në 7-9 Tetor, 2009 në Hotel Tirana Internacional, Shqipëri.

Pjesëmarrësit në seminar përfshinin përfaqësues nga vendet e ndotura me mina në Europën Juglindore, të mbijetuar nga minat dhe municionet e tjera të pashpërthyera, donatorë, organizata jo qeveritare lokale dhe ndërkombëtare të cilat kanë kontribuar në veprimin ndaj minave në rajon.

Qëllimi i Seminarit të Tiranës ishte të analizonte progresin e bërë dhe sfidat në Europën Juglindore në përmbushjen e objektivave të Konventës per Ndalimin e Minave kundër Personit. Konventa ndalon përdorimin e minave kundër personit dhe i kërkon Shteteve Palë të shkatërrojnë të gjitha stoqet e minave te depozituara, të pastrojnë të gjitha zonat e minuara dhe të sigurojnë asistencë për të aksidentuarit.

Seminari u hap me fjalime të nivelit të lartë, ku u bë dhe deklarimi nga Z. Petrit Karabina, Zëvendës Minister i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë dhe Kryetar i AMAC, se Shqipëria ka përfunduar pastrimin e të gjitha zonave të minuara në verilindje të Shqipërisë në përputhje me nenin 5 të Konventës.
 “Pas pothuajse një pune dhjetevjecare, Shqipëria është krenare të deklarojë se ajo ka përmbushur detyrimet e Konventës përpara afatit të përcaktuar” u shpreh z. Karabina. “Mbi 14 million metra katrorë tokë e minuar, tashmë është pastruar nga minat për t’iu dorëzuar komunitetit për përdorim. Tashmë njerëzit në verilindje të Shqipërisë mund të përdorin tokën e tyre dhe të ndihen të sigurt”. Sipas Z. Karabina, duke pastruar zonat e ndotura me mina, “Shqipëria tregoi dhe njëherë vullnetin e saj per të promovuar paqen në rajonin e Europës Juglindore” .

Ndër të tjera, pjesëmarrësit në seminar u shprehën se partneriteti kombëtar luan një rol të rëndësishëm në sigurimin e zbatimit të plotë të Konventës. Gjithashtu, u theksua rëndësia e partneritetit me donatorët, me burime rajonale financimi dhe zbatimi (ITF), me operatorë jo-qeveritare (DanChurchAid) dhe me PNUD. Pjesëmarrësit u shprehen se suksesi i Shqipërisë është arritur me bashkëpunimin e partnerëve në kohëra të këqija dhe të mira, me kontributin e tyre në planet kombëtare dhe duke treguar angazhim deri në përfundim të punës. Gjithashtu, u theksua se Shqipëria është shembulli i një partneriteti efikas në shkatërrimin e të gjitha stoqeve të minave kundër personit duke u bërë kështu rasti i parë ku Fondi i Besimit i NATO-s u përdor si një mjet për të kanalizuar fondet dhe për të ndihmuar në zbatimin e këtij aspekti të Konventës.
Gjithashtu, në kuadër të seminarit, u organizua një program paralel për ekspertët në fushën e asistencës ndaj të aksidentuarve nga minat, të cilët u përqëndruan në sfidat dhe sukseset në adresimin e nevojave dhe të drejtave të personave të aksidentuar nga minat në rajon. Programi përfshiu diskutime mbi rehabilitimin mjekësor dhe fizik, mbështetjen psikologjike dhe fuqizimin ekonomik të personave të aksidentuar nga minat. Gjatë fjalimit të hapjes, Zëvendës Ministri i Shëndetësisë, Z. Ivanaj, u shpreh se “Një nga prioritetet e Ministrisë së Shëndetesisë për personat e dëmtuar dhe me aftësi të kufizuar ka qenë ngritja, organizimi, forcimin dhe shtrirja e sistemit të urgjences mjekesore si dhe rritja e cilesise ne fushën e rehabilitimit fizik”.

Në 7 Tetor, 2009 pjesëmarrësit vizituan Qarkun e Kukësit, zonë e prekur nga minat kundër personit në Shqipëri. Kjo vizitë i dha mundësinë pjesëmarrësve të shikonin nga afër punën e bërë në Repartin e Fizioterapisë, Repartin e Protezimit, dhe pajisjet e Radiologjisë në Spitalin Rajonal të Kukësit, kapacitete të cilat janë në ndihmë të personave të aksidentuar nga minat. Pjesëmarrësit gjithashtu u pritën nga autoritetet dhe organizata jo qeveritare lokale, të cilët i informuan të pranishmit mbi veprimin ndaj minave në rajon.

Seminari i Tiranës për një Europë Juglindore të Pastër nga Minat i përmbushi me sukses qëllimet e tij, ndër të tjera: fuqizimin e bashkëpunimit midis vendeve të tjera në rajon për të përmbushur detyrimet e Konventës dhe promovimin e paqes.

Mbeshtetja organizative e seminarit u sigurua nga Qendra Shqiptare e Veprimit ndaj Minave (AMAE) dhe Njësia Mbështetëse e Zbatimit të Konventës (ISU).

 
 

Seminari i Tiranës: Drejt një Europe Juglindore të pastër nga Minat

7 - 9 Tetor 2009
 

Ministria e Puneve te Jashtme e Shqipërisë, me mbështetjen e Bashkimit Europian, do të organizoje Seminarin e Tiranës për një Europë Juglindore të Pastër nga Minat, i cili do të mbahet, në Hotel Tirana Internacional, ne datat 7 - 9 Tetor, 2009.

Seminari i Tiranës do të jetë një nga gjashtë seminaret rajonale të cilët i paraprijnë Konferencës së Dytë të Rishikimit mbi Konventën për Ndalimin e Përdorimit, Magazinimit, Prodhimit dhe Transferimit të Minave kundër Personit si dhe Asgjesimin e tyre. Këto seminare janë bërë të mundura falë mbështetjes së Bashkimit Europian nëpërmjet një inisiative për një “Aksion të Përbashkët” te miratuar vitin e kaluar.

Qëllimi i Seminarit të Tiranës është të analizojë progresin e bërë dhe sfidat në Europën Juglindore në përmbushjen e objektivave të Konventës, e cila do të kontribuojë dukshëm në suksesin e Konferencës se Dytë të Rishikimit e cila do te mbahet në Kolumbi.

Vendet e prekura nga minat në Europën Juglindore, donatorë dhe organizata lokale dhe ndërkombëtare të cilat kanë kontribuar në veprimin ndaj minave në rajon janë ftuar në këtë seminar.

Theksojmë se kjo konferencë do të jetë e rëndësishme për vendin tonë pasi do të evidentohen arritjet në përmbushjen e deryrrimeve të Konventës mbi Ndalmin e Minave dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal të ekspertëve të veprimit ndaj minave.

Në kuadër të kësaj conference do të mbahet edhe programi Paralel një ditor mbi Asistencën ndaj të Askidentuarve do të mbahet në 8 tetor, 2009. Ekspertë të Asistencës për të Aksidentuarit nga rajoni, organizata lokale/ndërkombëtare si dhe të aksidentuar nga minat janë ftuar në marrin pjesë në këtë aktivitet për të analizuar sfidat dhe mesimet e nxjerra gjatë dhënies së asistencës.

Qendra Shqiptare e Veprimit ndaj Minave (AMAE), në cilësinë e organit kombëtar koordinues dhe monitorues për veprimin ndaj minave është duke bashkëpunuar me Njësinë Mbështetëse të Zbatimit të Konventës mbi Ndalimin e Minave kundër Personit (ISU) në Qendrën Ndërkombëtare të Gjenevës për Cminime Humanitare, në organizimin e kësaj konference.

Per më shumë information në lidhje me Seminarin rajonal të Tiranës, ju lutem kontaktoni ne: amaealbania@amae.org.al

Link: Programme of the Conference (pdf file, 250kB)

 
 

Takimi i Grupit të Portofolit Shqiptar të Veprimit ndaj Minave 2010

21 Gusht 2009
 
Takimi i Portofolit të Veprimit ndaj Minave organizohet çdo vit nën drejtimin e Zyrës Ekzekutive të Veprimit ndaj Minave. Portofoli Ndërkombëtar i Veprimit ndaj Minave është një instrument per mobilizim fondesh dhe reference për donatorët, hartuesit e politikave dhe partnerët zbatues të veprimit ndaj minave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Portofoli i Veprimit ndaj Minave është një publikim që botohet nga Shërbimi i Veprimit ndaj Minave të Kombeve të Bashkuara, PNUD dhe UNICEF dhe përfshin një përmbledhje të strategjivë të veprimit ndaj minave dhe projekt-propozimet e dorëzuara nga agjencitë aplikuese. Projekt propozimet specifike të Shqipërisë të përfshira në Portofolio reflektojnë objektivat stategjikë në terren në lidhje me problemin e minave dhe municioneve të paplasura. Projektet janë organizuar kryesisht në bazë të tre shtyllave kryesore: çminimi humanitar, edukimi i popullsisë mbi rrezikun e minave dhe asistenca për të aksidentuarit.
Takimi i këtij viti u zhvillua në 21 gusht në Zyrën Rajonale të AMAE-s në Kukës me pjesëmarrjen e Anëtarëve të Skuadrës Kombëtare të Portofolit, të cilët janë përfaqësues nga agjencitë zbatuese: DCA, Alb-Aid, Kryqi i Kuq Shqiptar dhe Handicap International, etj.
Drejtori i AMAE-s drejtoi takimin e Portofolit 2010 nën cilësinë e Koordinatorit Kombëtar të Portofolit. Fillimisht Ai falenderoi të pranishmit ndërsa theksoi rëndësinë e këtij Portofoli si një mjet për mobilizimin e fondeve për aktivitetet e veprimit ndaj minave në Shqipëri. Ggjithashtu, duke konsideruar faktin që Programi i Veprimit ndaj Minave është aktualisht në fazën përfundimtare dhe drejt një tranzicioni te mundshëm në programe të tjera çmilitarizimi, ai inkurajoi partnerët në dhënien e kontributit dhe ideve të tyre në këtë takim.
Gjatë takimit u zhvillua një analizë e progresit të bërë deri tani për të arritur objektivat strategjike të parashtuara në bazë të shtyllave të Veprimit ndaj Minave si dhe të planeve për të ardhmen, sidomos në fushën e asistencës së të aksidentuarve dhe ndërgjegjësimit/edukimit mbi rrezikun e minave për vitin e ardhshëm.
Më pas Skuadra e Portofolit Kombëtar të Veprimit ndaj Minave shqyrtoi projekt-propozimet e paraqitura nga organizatat aplikuese. 15 projekt-propozime iu dorëzuan koordinatorit të portofolit për rishikim, të cilat mbulonin fushat e koordinimit dhe monitorimit të veprimit ndaj minave, mbledhjen e municioneve të gjetura nga banorët vendas, asistenca për të aksidentuarit nga minat dhe aktivitetet për edukimin e popullsisë mbi rrezikun e minave.
Projekt-propozimet u diskutuan në menyrë të detajuar me qëllimin për ti përmirësuar dhe përshtatur ato me Strategjinë e Veprimit ndaj Minave dhe për të qënë efikase financiarisht. Drejtori i AMAE-s mbylli takimin duke falenderuar pjesëmarrësit për kontributin e tyre të çmuar. Faza tjetër e procesit të përgatitjes së portofolit është përfshirja e projekt-propozimeve të aprovuara në sistemin automatik të Portofolit Global të Veprimit ndaj minave brenda datës 1 Shtator, 2009.

 

Depozitimi i Instrumentit të Ratifikimit të Konventës mbi Municionet Thërrmurse në New York

16 Qershor 2009
Në 16 qershor 2009 Shqipëria depozitoi, në zyrat e Kombeve të Bashkuara në Neë York, instrumentin e ratifikimit të Konventës mbi Municionet Thërrmuese. Shqipëria është shteti i 9-të i cili ka ratifikuar këtë konventë. Gjatë negociatave të traktatit, Shqipëria shprehu eksperiencën e saj si një vend i ndotur nga minat për të demonstrur dëmin humanitar të shkaktuar nga municionet thërrmuese. Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të mbetet një përkrahës i zbatimit të kushteve të konventës, në veçanti ne lidhje me asistencën ndaj të aksidentuarve. Shqipëria është ashtu e angazhuar të pastrojë municionet e paplasura në territorin e saj më herët sesa afati 10 vjeçar I paracaktuar nga konventa.
 
 
Vizite mjeksore për të aksidentuarit nga minat në Kukës dhe Tropojë
2-5 Qershor 2009
 
Në qershor 2009, nën koordinimin e AMAE-s, mjekë nga Instituti i rehabilitimit në Slloveni së bashku me përfaqësues nga Qendra e protezimin pranë Spitalit Rajonal të Kukësit, organizuan një vizitë mjeksore dy ditore për të gjithë amputët e rrethit të Kukësit dhe Hasit. 38 amputë prej shperthimit të minave dhe municioneve të paplasura (UXO) si dhe amputë të tjerë u kontrolluan nga mjekë specialist. Përvec amputëve, disa fëmijë me probleme shpinore-cerebrale u vizituan dhe morën këshilla mjekësore nga ekspertët slloven. Disa proteza u riparuan gjatë ditës dhe ky proçes i shërbeu teknikëve shqiptarë për të zgjerua njohuritë e tyre mbi riparimin e protezave. Gjithashtu, ekipi nga Sllovenia dhe ai shqitar diskuatuan çështjet teknike në lidhje me masat, trajtimin dhe kujdesin ndaj protezave, higjenës etj.
 
 

Takimi i Komitetit te Përhershëm mbi Konventën e Ndalimit të Minave Kundër Personit

May 25-29, 2009
 
Në datat 25-29 Maj, si cdo vit u mbajtën në Qendren Ndërkombëtare për Cminime Humanitare në Gjenevë (GICHD), mbledhjet e Programit Ndërsesional të Punës të Konventës për Ndalimin e Minave Kundër Personit. Ky Program Pune i përcaktuar nga Shtetet Palë në Konventë është i përbërë nga pesë komitete të cilët takohen cdo vit për të diskutuar cështje në lidhje me Konventën.
Shqipëria përfaqesohet rregullisht në këto takime nga ekspertet përkatës të Zyrës Ekzekutive të Veprimit ndaj Minave (AMAE) si dhe përfaqësues te Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Misionit tonë te Përhershëm të OKB-s në Gjenevë.
Në këtë mbledhje Shqipëria raportoi në seancë plenare në lidhje me progresin që ka bërë në plotësimin e detyrimit sipas Nenit 5 te Konventës në lidhje me pastrimin e minave në fushat e minuara në verilindje të vendit si dhe Koordinatori i Asistencës për te aksidentuarit e minave dhe municioneve në AMAE, ka ndjekur aktivitetet e organizuara për asistencën ndaj te dëmtuarëve me mina dhe municione.
Z. Veri Doxhani, koordinator i VA & RE prezantoi progresin e arritur në asistencën ndaj të aksidentuarve për periudhën 2004-2008, në kuadrin e Programit Shqiptar të Veprimit ndaj Minave (AMAP)
Gjatë një seancë plenare, Ambasadori Sejdi Qerimaj raportoi në lidhje me progresin që ka bërë Shqipëria në plotësimin e detyrimit sipas Nenit 5 të Konventës në lidhje me pastrimin e minave në fushat e minuara në verilindje të vendit i mbështetur nga Drejtori i AMAE-s z. Arben Braha i cili ju pergjigje pytejeve dhe sqaroj ecurinë e Shqipërisë në këtë drejtim.
Gjithashtu, u zhvillua një takim i vecante me përfaqesues të misioneve të OKB-s në Gjenevë , lidhur me përgatitjen e delegacioneve si dhe përgatitjen e raporteve për konferencen e dyte të Rishikimit që do të mbahet në Kolumbi në datën 25-29 Nëntor 2009, ku shtetet palë do të perfaqesohen me delegacione në nivele të larta.
Delegacioni Shqiptar në këto takime mori vlerësime nga agjenci të ndryshme ndërkombëtare si UNDP, UNMAS, ICBL,GICHD si dhe donatorë të ndryshëm të cilët vlerësuan arritjet e programit shqiptar duke e konsideruar atë si model per programet e tjera të veprimit ndaj minave. Një vend të rëndësishem në takimet dypalëshe të organizuara zuri dhe hartimi i nje strategjie tranzicioni të programit në mënyre që kapacitetet e krijuara të shfrytëzohen në fusha të tjera të kësaj natyre në Shqipëri.
Aktualisht ne jemi optimistë se Shqipëria do të arrijë të realizojë detyrimin sipas nenit 5 të Traktatit të Otavës brenda afatit të përcaktuar. Kjo përforcohet dhe nga rezultatet e deri tanishme si edhe angazhimi i donatorëve si SHBA, EC, Gjërmania dhe organizatat ndërkombëtare të involvuara në këtë programe si ITF, UNDP, DCA etj

 
 

Udhëtim në Verilindje të Shqipërisë në zonat e minuara

14-15 Maj 2009
 
Në 14-15 Maj, AMAE në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, organizoi një udhëtim në veri-lindje të Shqipërisë me atashetë ushtarak të akredituar në Shqipëri nga ambasada gjermane, turke, rumune, italiane, ruse si dhe përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes. Qëllim i këtij misioni ishte informimi i donatorëve në lidhje me aktivitetet në vazhdim për zgjidhjen e problemit të ndotjes me mina.
Axhenda e udhëtimit përfshinte disa vizita në vende kyçe të implemetimit të programit siç janë: Qendra e Rehabilitimit Fizik dhe Mjekësor në Spitalin Rajonal të Kukesit, Zyra Rajonale e AMAE-s, dhe vizite pranë një zonë të minuar në Livadhet e Koretnikut, Morin, Kukës.
Të pranishmit vizituan Qendrën e Rehabilitimit Fizik dhe Mjekesor në të cilen është integruar reparti i Protezimit dhe Fizioterapisë. Kjo qender është mbështetur financiarisht nga; Departamenti i Shtetit Amerikan, Qeveria Angleze, Franceze dhe Bashkimi Europian. Qendra u shërben me vendosje protezash të reja si dhe riparime të ndryshme dhe sherbime të fizioterapisë jo vetëm personave të demtuar nga minat dhe municionet e paplasura në Kukës, Has dhe Tropojë, por edhe të gjithë personave të tjerë në nevojë për këto shërbime në Qarkun e Kukësit dhe më gjërë.
Misioni vazhdoi me një vizitë në Zyrën Rajonale të AMAE në Kukës , ku të pranishmit u pritën nga shefi i kësaj zyre z.Sali Salihi me ekipin e tij si dhe z. Jonuz Kola me ekipin e VMA-s. z. Jonuz Kola prezantoi veprimtarine e VMA në projekte për MRE si dhe në ato të rehabilitimit fizik ndaj të mbijetuarve nga minat dhe municionet nëpërmjet programit të minave.
Më pas u zhvillua një prezantim i detajuar i Programit Kombëtar të Veprimit ndaj Minave nga Drejtori i AMAE-s z. Arben Braha së bashku me Drejtorin e Zyrës Rajonale, Kukes z. Sali Salihi dhe Koordinatorin e RE & VA z. Veri Dogjani. Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe një vizitë në Aeroportin e Kukësit. Drejtori i aeroportit z. Ramiz Lala përshendeti te pranishmit dhe i informoi ata mbi aeroportin dhe ambjentet e tij.
Për nder të ekipit dhe autoritetet lokale të Kukësit u organizua një darkë zyrtare nga AMAE. Në këtë darkë Kryetari i Qarkut Kukës z. Shefqet Bruka, i uroi mirëseardhjen diplomateve dhe i informoi ata mbi aktivitetet e qarkut në përgjithësi si dhe kontributin e çmuar të AMAE. Gjithashtu, në këtë darkë n/Kolonel Taubert i dorezoi z. Arben Braha, Drejtorit të AMAE, në emër të ekipit të tij, një Certifikate Mirënjohje, duke shprehur konsideratat më të mira për AMAE dhe ekipet e tjera në programin e minave.
Axhenda vazhdoi me një vizitë pranë një zonë të minuar në Koretnik të Morinit ne rrethin e Kukësit ku u priten nga Manaxheri i kompanise daneze z. Anthony Connell si dhe Oficeri Operacional z. Fatbardh Caushi. Gjatë vizitës në livadhet e Koretnikut, u zhvillua një diskutim i lire me pyetje dhe përgjigje si dhe një demonstrim praktik i çminimit.
Pas këtij demonstrimi praktik në terren në emër të ekipit të atasheve N/Kolonel Taubert, falenderoi ekipet e çminimit dhe ekipin e AMAE për punën e jashtëzakonshme që bëhet në çminimin e këtyre zonave të bukura dhe të rëndësishme për popullsinë lokale.

 
 
Aktivitete Përkujtimore në Shqipëri me rastin e "Ditës Ndërkombëtare për Asistencë dhe Ndërgjegjësim mbi Rrezikur e Minave"
4 Prill 2009

Në dhjetor të vitit 2005 Asambleja e Përgjithshme deklaroi datën 4 prill si "Ditën Nërkomërare për Asistencën dhe Ndërgjegjësimin mbi Rrezikun e Minave". Kjo ditë shërben për të kujtuar se miliona njërës në rrëth 80 shtete ende jetojnë me frikën e minave dhe municioneve shpërthyese të luftës.

Për të përkujtuar këtë ditë, autoritetet locale së bashku me komunitetin lokal, organizatat lokale dhe të mbijetuarit nga shpërthimi i minave organizuan aktivitetet e mëposhtme me qëllimin për të arritur ndërgjëgjësimin publik mbi rrezikun e minave dhe municioneve shpërthyese të luftës si dhe eliminimin e tyre:
Një konkurs me krijime artistike me femijë nga 13 shkolla në zonat e prekuara nga minat në verilindje të Shqipërisë. Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe rajonale të prefekturës së Kukësit, OJQ-ve lokale të përfshirë në Edukimin e Popullsisë mbi Rrezikun e Minave, të mbijetuarit nga shpërthimi i minave dhe organizata e çminimit.
- Intervistë në radion BBC - Sektori Shqiptar me një të mbijetuar nga shpërthimi i minave, polic kufitar i plagosur gjatë patrullimit të kufirit në vitin 1999, tregoi historinë dhe eksperiecën e tij nga dita e aksidentit dhe proçesin e integrimit të tij në shoqeri.
- Ekspozitë e Veprimit ndaj Minave e organizuar nga MRA të Titulluar "Drejt një Shqipërie pa Mina" e cila ishte e hapur për publikun dhe autoritetet lokale.
- Në 6 prill, 2009 në Pallatin e Kulturës të Kukësit u hap një ekspozitë fotografike me foto të bëra nga Shoqata e Viktimave të Minave dhe Armëve në Kukës. Fotot pasqyruan aktivitetet e veprimit ndaj minave gjatë: pastramit të minave, edukimit të popullësisë mbi rrezikun e minave dhe asistencës për të aksidentuarit. Materiale mbi ndërgjegjësimin u shpërndanë gjatë aktivitetit.
- Një reportazh televiziv Televizioni Lokal në Kukës gjatë së cilit do u trajtua Edukimi mbi Rrezikun e Minave dhe Asistenca e të Aksidentuarëve në Shqipërinë verilindore.

 
 
   

 

webmaster-copyright 2009 by AMAE